“Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë ka dështuar të jetë frytdhënës”, ky është konkluzioni i theksuar në raportin për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Deputetët e Parlamentit Evropian miratuan raportin, duke argumentuar se zgjerimi i BE-së është një përgjigje strategjike ndaj realiteteve gjeopolitike që po ndryshojnë dhe një investim në sigurinë e bllokut evropian.
Sipas raportit, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë “ishte joaktiv gjatë vitit 2025”. Kjo ndodhi, ndër të tjera, sepse Kosova nuk kishte një qeveri me mandat dhe kompetenca të plota, ndërsa negociatat në këtë formë nuk kanë perspektivë.
Në draft-dokument rikujtohet se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i detyrimeve nga dialogu mbeten pjesë thelbësore e të ardhmes së Kosovës në BE.
Ndër detyrimet që kërkon Parlamenti Evropian përfshihen krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të heqë dorë nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
Nga të dyja palët kërkohet gjithashtu të shmangin veprime të njëanshme që mund të minojnë procesin e dialogut.
Po ashtu, raporti u bën thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të lëvizin drejt njohjes.









