Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, deklaroi në emisionin “ Të jemi vigjilentë – Pyetni Qeverinë ” në TVMZ se përgjegjësia për mosfunksionimin e Shën Stefanit i takon pronarit me qira, i cili sipas tij nuk respekton kontratën.
Ai shtoi se shteti po përpiqet të zgjidhë këtë çështje.
“Ai nuk e hap Shën Stefanin. Sipas kontratës, pronari do të duhej ta hapte dhe të funksiononte Shën Stefani. Ky është një nga vendndodhjet që është një thesar botëror, ndërsa për ne është i mbyllur,” tha Gjeloshaj.
Ai theksoi se procedura e arbitrazhit në gjykatën e Londrës po zgjat tepër.
“Para kësaj gjykate arbitrazhi jemi edhe ne. Ajo që më duket absurde është që dikush që ka marrë në qira Shën Stefanin, tani po akuzon Malin e Zi për kompensim dëmi, ndërkohë që nuk kishte kontratë që plazhi të ishte i mbyllur. Por dikush ia mundësoi këtë. Bëj apel publik ndaj pronarit që të hapë Shën Stefanin. Shteti i Malit të Zi, kjo Qeveri e Malit të Zi, është plotësisht e gatshme dhe respekton obligimet e marra. Çfarë ka në kontratë do ta mbrojmë,” tha Gjeloshaj.
Ai shtoi se shteti do të respektojë obligimet e veta.
“Pse nuk është hapur? Sepse pronari kërkon kompensim për një periudhë të caktuar, duke përdorur një incident që ndodhi me banorët lokalë. Shteti i Malit të Zi nuk ishte fajtor. Për këtë ka edhe një kërkesë para gjykatës që e kemi dërguar si shtet, për të parë si mund të zgjidhim disa gjëra,” sqaroi ai.
Gjeloshaj rikujtoi vendimin e ri të Gjykatës Kushtetuese që mosmarrëveshja mbi Shën Stefanin të kthehet në drejtësinë vendore dhe nënvizoi se shteti po përpiqet të gjejë mënyrë që këtë vit Shën Stefani të funksionojë.
“Një thesar i Malit të Zi është mbyllur me çelës. Ky është një problem i madh, dhe po përpiqemi që ta zgjidhim këtë çështje në përputhje me ligjin,” theksoi ai.










