Foto: Twitter / Qeveria e Malit të Zi
Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Mal të Zi, Johan Sattler, deklaroi në rrjetin X se ka zhvilluar një takim produktiv me ministrin e Administratës Publike, Marash Dukaj, për forcimin e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike.
“Është e rëndësishme që sa më shpejt të sigurohet personeli, hapësira dhe pajisjet që agjencia të mund të funksionojë me kapacitet të plotë,” shkroi Sattler.

Ndërkohë, ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, është takuar edhe me ambasadoren e sapoemëruar të Republikës së Turqisë në Mal të Zi, Ajda Unlu, për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit në reformën e administratës publike, avancimin e digjitalizimit dhe mbështetjen e sigurisë kibernetike.
Dukaj vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira të Turqisë në zhvillimin e e-Qeverisjes.
Ambasadorja Unlu premtoi të punojë për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve përmes aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta, duke vlerësuar gjithashtu progresin e deritanishëm të Malit të Zi në reformën e administratës dhe digjitalizim.
Në fund u theksua se ekziston hapësirë e konsiderueshme për bashkëpunim dhe shkëmbim praktikash për të fuqizuar kapacitetet institucionale dhe për të avancuar digjitalizimin dhe reformën e administratës publike.










