Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti e ka propozuar Glauk Konjufcën për president të Kosovës, si dhe u ka bërë thirrje partive të tjera ta propozojnë kandidatin e tyre.
Konjufca, i cili sapo është emëruar ministër i Punëve të Jashtme, është kandidati i vetëm i propozuar deri më tani, një ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
“Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme”, tha Vetëvendosje në Facebook.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, më herët kishte shprehur gatishmërinë për të kandiduar edhe për një mandat tjetër në krye të shtetit.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon nesër, çka e shton presionin politik mbi shumicën parlamentare për të ofruar një zgjidhje. Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.
Vetëvendosje tha se është e gatshme t’ua mundësojë partive opozitare të propozojnë kandidat duke iu dhënë nënshkrimet e nevojshme prej 30 sosh.
Sipas Kushtetutës, po dështoi zgjedhja në këto tre runde, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.









