KOSOVA VENDOS MASA MBROJTËSE PËR ÇMIMET E NAFTËS

Kosova ka vendosur të mërkurën masa mbrojtëse për çmimin e derivateve, pas një rritjeje të menjëhershme të çmimeve të derivateve në vend si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, (MINT) Mimoza Kusari, njoftoi në Facebook se e nënshkroi vendimin, sipas të cilit, caktohen fitimet maksimale të lejuar për shitjen me shumicë dhe pakicë.

Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë do të jetë deri në 2 centë për litër, ndërkaq me pakicë deri në 12 centë për litër.

Çmimet e derivateve të Kosovë, vetëm brenda 24 orësh, janë rritur për se paku 14 centë.

Kusari tha se vendimi i saj ishte “i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor”.

Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është vërtetuar se rritjet e çmimeve nga importi janë pasqyruar menjëherë në çmimet e shitjes.

Përmes kësaj mase, synohet që të ruhet stabilitetin në treg, të parandalohen abuzimet me çmime dhe të sigurohet mbrojtje efektive për konsumatorët.

Rritjet e çmimeve të derivateve ndodhën pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një operacion ushtarak në Iran, dhe Teherani u përgjigj me sulme në Izrael dhe vende të tjera aleate të SHBA-së në rajon.

Pas këtyre tensioneve, çmimi i naftës Brent, që është standard global, është rritur deri në 10 për qind më 1 mars dhe analistët presin rritje të mëtejshme.

SHARE