QEVERIA E MALIT TË ZI KA MIRATUAR PROJEKTLIGJIN PËR QEVERINË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar Projektligjin për Qeverinë, duke bërë që për herë të parë në historinë e Malit të Zi kjo degë kyçe e pushtetit të rregullohet me një tekst të vetëm ligjor.

Në vend të praktikës së deri më tani për rregullimin e punës me aktet nënligjore, ligji i ri fut një kuadër sistematik që garanton fuqinë më të madhe juridike, parashikueshmërinë dhe përgjegjësinë e pushtetit ekzekutiv.

Zëvendëskryeministri për Sistemin Politik, Drejtësinë dhe Antikorrupsionin, Momo Koprivica, tha se Mali i Zi për herë të parë në historinë e re po fiton Ligjin për Qeverinë.

“Tre dekada kemi funksionuar pa një ligj sistematik që rregullon pushtetin ekzekutiv. Kjo është një ndarje nga praktika politike pa rregulla të qarta dhe të forta. Ligji për Qeverinë nuk është vetëm një tekst juridik, ai është dëshmi e pjekurisë institucionale të sistemit politik të Malit të Zi. Ky lloj autoregulimi është treguesi më i besueshëm i zhvillimit demokratik të Malit të Zi. Ligji për Qeverinë është gjithashtu pjesë e rrugës sonë evropiane, rrugës drejt Bashkimit Evropian,” tha Koprivica.

“Sistemi duhet të funksionojë brenda rregullave të qarta, sepse në një shtet të tillë korrupsioni reduktohet, ndërsa siguria e punëve, investimeve dhe të gjitha të drejtave të tjera forcohet,” theksoi Koprivica.

“Ne kemi miratuar Projektligjin për Qeverinë, i cili përbën një pikë kthese për Malin e Zi, për herë të parë në histori, Qeveria ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt miratimit të një kuadri ligjor që do të sigurojë transparencë, përgjegjshmëri dhe standarde evropiane në punën e saj,” tha ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj.

Ministri Dukaj shtoi se ky ligj nuk duhet të mbetet vetëm “shkronjë në letër”.

Ai duhet, sa më shpejt të jetë e mundur, të bëhet hapi ynë i përbashkët drejt forcimit të institucioneve demokratike.

“Qytetarët e Malit të Zi meritojnë një menaxhim më të mirë dhe më efikas. Nuk duhet të lejojmë që polemikat politike të na largojnë nga ky qëllim thelbësor,” theksoi Dukaj.

SHARE