MBRETËRIA E BASHKUAR VAZHDON TA MBËSHTESË MALIN E ZI NË PROCESIN E INTEGRIMIT EVROPIAN

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë Malin e Zi në procesin e integrimeve evropiane dhe në zhvillimin e përgjithshëm demokratik, deklaroi ambasadorja britanike Don Meken gjatë një takimi me nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj.

Sipas njoftimit nga Kuvendi, Camaj dhe Meken diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis dy shteteve, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj integrimeve evropiane të Malit të Zi dhe anëtarësimit të saj në NATO.

Camaj theksoi se Mbretëria e Bashkuar, edhe pse nuk është më pjesë e Bashkimit Evropian (BE), si anëtare aktive dhe e rëndësishme e Këshillit të Evropës, përmes punës së saj, rolit këshillues dhe rezultateve konkrete kontribuon në mënyrë të paçmuar në lidhjen evropiane, bashkëpunimin dhe ruajtjen e unitetit evropian.

Sipas tij, Mbretëria e Bashkuar ofron një mbështetje të fortë për Malin e Zi në rrugën drejt BE-së. Meken nënvizoi rëndësinë e dialogut parlamentar dhe të marrëdhënieve partneriale midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Malit të Zi.

“Mali i Zi dhe qytetarët e saj do të kenë edhe në të ardhmen mbështetje të fortë dhe të vazhdueshme nga Mbretëria e Bashkuar në procesin e integrimeve evropiane dhe zhvillimin demokratik të vendit,” deklaroi Meken.

Camaj, i cili është gjithashtu kryetar i Grupit të Miqësisë së Kuvendit të Malit të Zi me MB-në, theksoi nevojën për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar, si dhe rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare.

Ai bëri një ftesë për kolegët nga Mbretëria e Bashkuar që të vizitojnë Malin e Zi, me qëllim forcimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe shkëmbimin e përvojave.

Sipas njoftimit, Camaj shprehu gatishmërinë për të vizituar zyrtarisht Mbretërinë e Bashkuar për të avancuar më tej bashkëpunimin bilateral në fushën e parlamentarizmit.

Takimi konfirmoi vazhdimësinë e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Malit të Zi dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe gatishmërinë reciproke për një bashkëpunim më intensiv në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.  

SHARE