Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar projektligjin për ndryshime dhe plotësime në Ligjin për Punën, i cili synon përmirësimin e kushteve për punonjësit dhe rritjen e barazisë në vendin e punës.
Ndryshimet kryesore përfshijnë:
- Përcaktimin e pagës minimale sipas fuqisë blerëse, me afat dyvjeçar;
- Të drejtën e baballarëve për 10 ditë pushim pas lindjes së fëmijës dhe dy muaj pushim prindëror që nuk mund të transferohen tek tjetri;
- Fleksibilitet në orar pune dhe mundësi për punë jashtë zyrave të punëdhënësit pa pasoja për punonjësit;
- Rritjen e transparencës së pagave, duke ndaluar kërkesat për pagën e mëparshme dhe duke lejuar aksesin në të dhënat mesatare të pagave;
- Raportim të dallimeve në paga midis grave dhe burrave për punëdhënësit me mbi 100 të punësuar;
- Sigurimin e të drejtave të punonjësve me aftësi të kufizuara dhe përdorimin e gjuhës gjinore neutrale në emërtimin e vendeve të punës.
Ministrja Naida Nishiq theksoi se këto ndryshime synojnë të forcojnë pozicionin e punonjësve, të krijojnë një ekuilibër mes jetës familjare dhe punës, dhe të vendosin rregulla më të qarta dhe më të drejta në tregun e punës.










