Foto: Komuna e Tuzit
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, priti sot në takim përfaqësuesen e përhershme të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Mal të Zi, Ekaterina Paniklova.
Takimi ishte një mundësi për të shkëmbyer ide mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Tuzit dhe UNDP-së, në përputhje me prioritetet zhvillimore të komunitetit lokal.
Në takim u diskutua mbi forcimin e kapaciteteve institucionale, avancimin e përfshirjes sociale dhe barazisë gjinore, si dhe mbi nisma që mund të kontribuojnë në procesin e integrimit evropian të Malit të Zi në nivel lokal.
Kryetari Gjelaj prezantoi shembuj të praktikave të mira në zhvillimin e komunitetit, duke përfshirë bashkëpunimin e suksesshëm me diasporën, ndërsa UNDP-ja paraqiti modele bashkëpunimi dhe qasje inovative që mund të përshtaten me nevojat e komunës dhe të përmirësojnë iniciativat lokale.
Në fund të takimit u dakordua për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi, i cili do të përcaktojë drejtimet konkrete të projekteve të përbashkëta në të mirë të qytetarëve të Tuzit.










