Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, u takua me delegacionin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), të udhëhequr nga David Mekalister, dhe falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të integrimit evropian të vendit.
Mandiq njoftoi se nga rreth 400 ligjet e miratuara në këtë legjislaturë, afër 170 janë harmonizuar me legjislacionin evropian, dhe se Parlamenti do të vijojë punën me ritëm të përshpejtuar deri në fund të vitit për të përfunduar detyrimet e mbetura.
Ai theksoi se procesi i miratimit të ligjeve ka qenë transparent dhe përfshirës.
Kryetari i Kuvendit njoftoi gjithashtu hapjen në qershor të Qendrës Parlamentare Evropiane dhe emërimin e një përfaqësuesi në Bruksel për të përmirësuar komunikimin me institucionet evropiane.
Ai theksoi se Kuvendi është motor i integrimit të vendit në BE dhe do të jetë në seanca të vazhdueshme për të treguar mbështetje të plotë ndaj anëtarësimit të Malit të Zi.
Si sfidë kryesore, Mandiq përmendi luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e pavarësisë dhe përgjegjësisë së drejtësisë, duke theksuar rëndësinë e kapitujve 23 dhe 24 për jetën e sigurt dhe cilësore të qytetarëve.
Deputetët evropianë vlerësuan progresin e Malit të Zi në rrugën drejt BE-së, duke theksuar se fazat përfundimtare të negociatave janë më të vështirat, por përkushtimi i Kuvendit është një sinjal i fortë i vullnetit politik për të përshpejtuar reformat.










