DUKAJ – SUTIAKOVA: SIGURIA KIBERNETIKE DHE PROCESI I REFORMAVE, ÇELËSI PËR RRUGËN EVROPIANE TË MALIT TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, u takua me shefen e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Zuzana Michalkova Sutiakova, ku diskutuan mbi proceset reformuese dhe forcimin e sigurisë kibernetike në kuadër të integrimit evropian të Malit të Zi.

Dukaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve evropianë dhe theksoi progresin në adoptimin e ligjeve kyçe, përfshirë Ligjin për Qasje të Lirë në Informacion, Ligjin për Shërbimin Civil dhe Ligjin për Sigurinë e Informacionit, si dhe përgatitjen e Ligjit për Qeverinë dhe Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.

Ai veçoi rëndësinë e sigurisë kibernetike, duke theksuar avancimet e bëra pas sulmit kibernetik të vitit 2022. Me mbështetje të BE-së, është formuar Qendra Operative e Sigurisë Kibernetike e Qeverisë (G-SOC), e cila monitoron rrjetin shtetëror 24/7 dhe koordinon reagimin ndaj kërcënimeve.

Qendra u inaugurua zyrtarisht nga presidentja Ursula von der Leyen në vitin 2024.

Sutiakova shprehu kënaqësinë për progresin e Malit të Zi në forcimin e rezistencës së sistemeve dhe në zbatimin e reformave, duke vlerësuar kapacitetet e Qendrës Operative e Sigurisë Kibernetike e Qeverisë dhe nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet evropiane.

Dukaj theksoi se Qendra Operative e Sigurisë Kibernetike e Qeverisë luan një rol kyç në forcimin e qëndrueshmërisë institucionale dhe mbrojtjen e infrastrukturës digjitale të shtetit, duke kontribuar direkt në rrugën evropiane të Malit të Zi.

SHARE