RRITJE E LEHTË E EKONOMISË SË MALIT TË ZI NË 2025

Foto: CBCG

Sot u mbajt seanca e 76-të e Këshillit për Stabilitet Financiar, nën drejtimin e guvernatores së Bankës Qendrore të Malit të Zi, Irena Radoviq.

Në takim u diskutua për gjendjen e stabilitetit financiar në katër muajt e fundit të vitit 2025 dhe u vlerësua se ekonomia e Malit të Zi arriti një rritje prej 3,2% gjatë nëntë muajve të parë të vitit.

Sektori i tregtisë dhe ndërtimit shënoi rritje, ndërsa prodhimi industrial shënoi rënie. Turizmi solli një rritje prej 5% të ardhjeve, pavarësisht uljes së lehtë të numrit të netëve të kaluara.

Këshilli vlerësoi gjithashtu trendet në financat publike, duke përfshirë të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit dhe nivelin e borxhit publik. Sektori bankar mbeti i qëndrueshëm, me likuiditet të mirë dhe rritje të vazhdueshme të depozitave.

Rreziqet sistemike u cilësuan si të moderuara, kryesisht të lidhura me rritjen e kredisë dhe të çmimeve të pasurive të paluajtshme.

Në takim u diskutua edhe implementimi i Hartës së Rrugës për Financat e Qëndrueshme, e miratuar në mars 2025, me qëllim harmonizimin gradual të sistemit financiar të Malit të Zi me standardet evropiane dhe globale të zhvillimit të qëndrueshëm dhe principet ESG-së.

Raporti evidenton avancime të dukshme në ngritjen e kapaciteteve institucionale, vendosjen e mekanizmave të menaxhimit të rreziqeve ESG dhe zhvillimin e instrumenteve financiare të gjelbra.

Këshilli theksoi nevojën për fokus të vazhdueshëm në përmirësimin e kapaciteteve operacionale, mbledhjen e të dhënave, trajnimin e stafit dhe bashkëpunimin me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Fondi për Mbrojtjen e Depozitave u vlerësua se ka kapacitetet e duhura për të përmbushur detyrimet e tij ligjore.

Në fund, Këshilli vlerësoi se sistemi financiar i Malit të Zi mbetet i qëndrueshëm, me nevojë për monitorim të vazhdueshëm të rreziqeve dhe forcim të rezistencës ndaj ndryshimeve makroekonomike dhe rregullatore.

SHARE