KOMITETI I PUNËVE TË JASHTME TË PE VIZITË NË TIRANË, McALLISTER THIRRJE PËR DIALOG POLITIK

Komiteti për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian zhvilloi një vizitë dyditore në Tiranë, më 16–18 shkurt, ku theksi kryesor u vendos te ecuria e procesit të integrimit dhe nevoja për forcimin e dialogut politik në vend.

Kryetari i komitetit, David McAllister, pas takimeve me kryeministrin Edi Rama, me kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali, me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës, si dhe me ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së, dha një mesazh të qartë për klasën politike shqiptare.

“Ne e mbështesim rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së dhe vlerësojmë arritjet e deritanishme, përfshirë hapjen e grupkapitujve të negociatave. Megjithatë, procesi i zgjerimit bazohet në meritë dhe në përmbushjen e kritereve. Ka ende shumë punë për t’u bërë, veçanërisht në zbatimin e reformave dhe përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së,” u shpreh McAllister.

Ai theksoi se integrimi evropian duhet të mbetet prioritet i përbashkët për të gjitha forcat politike në Shqipëri, duke shprehur shqetësim për nivelin e lartë të polarizimit politik.

“Vlerësojmë se integrimi evropian është prioritet për çdo parti politike në Shqipëri, por jemi të shqetësuar për polarizimin politik në vend. Duhet të ketë më shumë stabilitet dhe dialog politik. Shumica duhet të angazhojë dhe të afrojë në dialog opozitën, ndërsa opozita duhet të përfshihet më shumë në këtë dialog. Mendojmë se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale. Ka ende shumë për t’u bërë për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe për zbatimin efektiv të këtij legjislacioni,” theksoi ai.

David McAllister theksoi edhe tre prioritete kyçe që, sipas tij, kërkojnë angazhim të shtuar nga autoritetet shqiptare në kuadër të procesit të integrimit në BE. Një nga kërkesat kryesore është arritja e një reformë të plotë dhe reale zgjedhore ku të adresojë të gjitha rekomandimet e ODIHR-it.

“Së pari, ka nevojë për të rritur më tej luftën kundër korrupsionit. Është arritur progres në këtë fushë, por ende nuk jemi në nivelin e nevojshëm. Duhet të ketë një zbatim të plotë të legjislacionit dhe të mos ketë ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë. Së dyti, duhet një reformë reale dhe e plotë zgjedhore, e cila të realizohet në kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve të ardhshme dhe të adresojë të gjitha rekomandimet e ODIHR-it. Së treti, duhet të shohim hapa konkretë për garantimin dhe forcimin e lirisë së medias dhe të shprehjes, si element thelbësor i një demokracie funksionale,” tha McAllister.

Në përmbyllje, ai theksoi se vizita e delegacionit evropian është një sinjal i qartë i mbështetjes për rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Kjo vizitë tregon mbështetjen e Parlamentit Evropian për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe angazhimin e saj drejt së ardhmes evropiane,” përfundoi McAllister.

SHARE