Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi, përmes përparimit në mbylljen e kapitujve negociues, ka treguar se është e përkushtuar ndaj së ardhmes evropiane, deklaroi kryetari i Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, duke ftuar të gjithë aktorët politikë të mbajnë fokusin tek zbatimi i reformave kyçe.
Në një konferencë për media në Podgoricë, Mekalister tha se Parlamenti Evropian mbështet fuqishëm rrugën evropiane të Malit të Zi dhe vlerëson arritjet e tij në procesin e negociatave të pranimit.
“Në vazhdim do të mbështesim fuqishëm rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian dhe vlerësojmë bilancin e tij të suksesit si udhëheqës në procesin e negociatave,” tha Mekalister.
Ai shtoi se mbyllja e disa kapitujve negociues në fund të vitit të kaluar dhe një kapitulli në fillim të këtij viti është një tregues i qartë i përkushtimit të vendit ndaj perspektivës evropiane.
Sipas Mekalister, fokusi në periudhën e ardhshme duhet të jetë në zbatimin e reformave brenda kapitujve themelorë, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
“Kjo përfshin reformën e drejtësisë, emërimin e gjyqtarëve, si dhe një përgjigje të fortë dhe të besueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë dënime që kanë efekt parandaluese dhe aktgjykime dënuese në çështjet e korrupsionit të lartë,” theksoi Mekalister.
Ai vuri në dukje se miratimi i ligjeve vetëm nuk mjafton.
“Miratimi i ligjeve nuk është efektiv nëse ato nuk zbatohen në praktikë. Reformave të miratuara duhet t’u jepet zbatim i qëndrueshëm dhe i plotë,” tha Mekalister.
Mekalister gjithashtu theksoi se Mali i Zi është partner i vlefshëm dhe i besueshëm brenda NATO-s, por paralajmëroi për ndikime të jashtme që mund të rrezikojnë rrugën evropiane të vendit.
“Ka shqetësime për përpjekjet e aktorëve të jashtëm për të ndikuar në rrugën e Malit të Zi drejt BE-së dhe për të krijuar polarizim, prandaj është thelbësore të forcohet rezistenca dhe komunikimi,” theksoi ai.
Sipas Mekalister, vizita e delegacionit të Parlamentit Evropian dërgon një mesazh të qartë mbështetjeje për Malin e Zi në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Vizita jonë tregon mbështetje të fuqishme të Parlamentit Evropian për Malin e Zi në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ne shohim Malin e Zi në një të ardhme evropiane që mund të sjellë rezultate konkrete dhe pozitive për qytetarët dhe do të jemi pranë jush gjatë gjithë kësaj rruge,” theksoi Mekalister.









