Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ndodhet në Uashington, ku me ftesë të kongresmenëve amerikanë, mori pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjes, një nga ngjarjet më të rëndësishme politike vjetore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë ngjarje foli edhe presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas zyrës së Millatoviqit, gjatë Mëngjesit Kombëtar të Lutjes, presidenti ka biseduar me kongresmenë amerikanë, senatorë dhe zyrtarë të lartë për forcimin e bashkëpunimit politik, lidhjet e sigurisë dhe mundësitë ekonomike për Malin e Zi.
“Takimet që presidenti Millatoviq ka gjatë qëndrimit në Uashington tregojnë se Mali i Zi ka vizibilitet politik dhe qasje në një nga qendrat kryesore të vendimmarrjes ndërkombëtare, si dhe një drejtim të qartë për zhvillimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara si partner strategjik, i bazuar mbi më shumë se 120 vite miqësi dhe aleancë”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të tij.
Millatoviq theksoi se zhvillimi i partneritetit strategjik me SHBA do të thotë ekonomi më të fortë, siguri më të madhe dhe përfitime konkrete për qytetarët e Malit të Zi.









