Foto: BORIS PEJOVIC
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, shpalli sot ligjet e miratuara nga Kuvendi, duke deklaruar se kthimi i tyre për rishqyrtim nuk do të kishte asnjë efekt, për shkak të mënyrës se si aktualisht funksionon Parlamenti.
Në një deklaratë publike, Millatoviq kritikoi ashpër deputetët për miratimin e ligjeve pa debat thelbësor, duke vlerësuar se procesi ligjvënës po zhvillohet “pa lexim dhe pa përgjegjësi”.
Ai theksoi se vendimit për shpalljen e ligjeve i parapriu bindja se kthimi i tyre në Kuvend nuk do të sillte përmirësime, ndërsa përsëriti nevojën për lista të hapura zgjedhore, që sipas tij do të mundësonin përfaqësim më të mirë të qytetarëve.
Millatoviq gjithashtu renditi një sërë faktorësh që, sipas tij, po e pengojnë integrimin evropian të Malit të Zi, përfshirë bllokimin e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjendjen në sektorin e drejtësisë dhe sigurisë, marrëveshjet jotransparente me Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe mungesën e reformave zgjedhore.
Në fund, ai kritikoi ashpër kundërshtarët politikë, duke i akuzuar për pengim të zhvillimit demokratik dhe të rrugës evropiane të vendit.









