Foto: Ilustrim
Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi ka dorëzuar në Fletoren Zyrtare të Malit të Zi vendimin për shfuqizimin e nenit 35a të Ligjit për tregtinë e brendshme, i cili ndalon punën e dyqaneve të dielave dhe gjatë festave shtetërore.
Gjykata vlerësoi se kjo dispozitë shkel lirinë e sipërmarrjes të garantuar me Kushtetutë, si dhe parimin e barazisë para ligjit, pasi një grup tregtarësh lejohej të punonte, ndërsa një grup tjetër jo.
Në arsyetim thuhet se Kushtetuta garanton të drejtën e punonjësve për pushim javor dhe pushim të paguar, por nuk përcakton që ky pushim duhet domosdoshmërisht të jetë të dielën.
Po ashtu, u theksua se Mali i Zi është nënshkrues i konventave ndërkombëtare që parashikojnë një ditë pushimi në javë, por jo detyrimisht të dielën, nëse natyra e punës e pamundëson këtë.
Gjykata konstatoi se ligjvënësi, duke lejuar punën për disa kategori si farmacitë, furrat, kioskat, pikat e karburantit dhe tregjet, ndërsa për të tjerat jo, ka krijuar pabarazi të pajustifikuar në treg dhe nuk ka arritur një balancë kushtetuese të pranueshme mes interesave të ndryshme.
Sipas saj, kufizimi i lirisë së sipërmarrjes mund të bëhet vetëm për arsye të përcaktuara qartë në Kushtetutë, si mbrojtja e shëndetit, mjedisit, sigurisë apo interesit publik, çka në këtë rast nuk ishte përmbushur.
Me këtë vendim, ndalesa e punës të dielave dhe festave nuk do të zbatohet më, ndërsa tregtarët do të kenë mundësi të organizojnë orarin e punës në përputhje me ligjin e punës dhe të drejtat e punonjësve për pushim javor.









