Foto: Christophe Licoppe
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Gijom Mersije, ka deklaruar se vonesat e vazhdueshme në miratimin e ligjeve kyçe dhe në emërimet në pozita të rëndësishme të lira, nëse nuk zgjidhen, mund të përbëjnë një pengesë serioze për ambicien e Malit të Zi që të mbyllë të gjitha kapitujt negociues me Bashkimin Evropian deri në fund të vitit.
Në përgjigje për RTMZ, Mersije tha se Komisioni Evropian ka marrë në dijeni vendimin e presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, lidhur me shpalljen e ligjeve të nevojshme për procesin integrues, duke theksuar se BE-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur rrugën evropiane të vendit.
“Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme për qëllimin ambicioz të Malit të Zi që të mbyllë të gjithë kapitujt e mbetur deri në fund të vitit, me kusht që të përmbushen plotësisht të gjitha kriteret dhe kushtet e nevojshme,” deklaroi Mersije, duke shtuar se përparimi varet nga zbatimi efektiv i reformave dhe funksionimi i institucioneve.
Ai theksoi se proceset e vonuara legjislative dhe institucionale, veçanërisht në sektorët kyç të sundimit të ligjit, mund të ngadalësojnë ndjeshëm dinamikën e negociatave dhe mbylljen e kapitujve, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe bashkëpunimit politik për të ruajtur ritmin e reformave.
Mersije gjithashtu konfirmoi se Komisioni ka marrë parasysh zhvillimet e fundit politike në Podgoricë, përfshirë vendimin e presidentit Millatoviq për shpalljen e ligjeve, duke përsëritur se BE-ja pret përmbushje konkrete dhe të qëndrueshme të standardeve evropiane nga autoritetet në Mal të Zi.









