Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kuvendi i Malit të Zi miratoi në seanca të jashtëzakonshme gjithsej 25 ligje nga agjenda evropiane, të domosdoshme për përmbushjen e kritereve në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Ligjet u miratuan pa debat në sallën plenare, ndërsa vazhdimi i seancës është caktuar për 10 shkurt.
Në fillim të seancës u konstatua dorëheqja e përfaqësuesve të Partisë Demokratike Popullore, Millun Zogoviq dhe Maja Vukiqeviq, nga funksionet qeveritare, si dhe dorëheqje të tjera në institucione shtetërore. Partia Demokratike Popullore njoftoi gjithashtu tërheqjen e mbështetjes për Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq.
Ligjet e miratuara përfshijnë fusha të shumta, si sistemi financiar, tregu i kapitalit, zonat e lira, mbrojtja e konsumatorëve, transporti hekurudhor, fondet pensionale, obligacionet e gjelbra, arsimi, shëndetësia, strehimi social dhe sigurimi pensional.
U miratua edhe ndryshimi i Ligjit për TVSH-në në turizëm, çka shkaktoi kritika nga opozita.
Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, theksoi se viti ka nisur pozitivisht për Malin e Zi, duke përmendur mbylljen e një kapitulli tjetër negociues me BE-në, dhe shprehu shpresën për mbështetje parlamentare për vazhdimin e reformave.
Përfaqësues të opozitës kritikuan mënyrën e miratimit të ligjeve në një ditë të vetme, duke e cilësuar atë si jotransparente dhe në dëm të interesit të qytetarëve, megjithëse ritheksuan mbështetjen për rrugën evropiane të Malit të Zi.









