Mali i Zi është një destinacion i sigurt posaçërisht nga aspekti i turizmit, dhe institucionet kompetente kanë ndërmarrë të gjitha masat në rast se turistët marrin virusin korona në vendin tonë, tha Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit, Damir Davidoviq.
Ai theksoi në programin e mëngjesit të TVMZ se është jashtëzakonisht e rëndësishme të dihet se ku kanë qëndruar turistët para se të hynin në Mal të Zi.
“Kështu, në rastin e shfaqjes së Covid-it, epidemiologët lehtë mund të përcaktojnë lëvizjen dhe kontaktet e mundshme të turistëve,” vëren Davidoviq.
Davidoviq sqaroi se, në varësi të gjendjes epidemiologjike të turistit dhe mënyrës se si ai erdhi në Mal të Zi, organizohet kthimi i tij eventual në shtëpi.
Davidoviq deklaroi se dje u regjistruan rreth 11,200 turistë. Kjo, siç tha ai, është një rënie e konsiderueshme në krahasim me një vit më parë.