Foto: Ilustrim
Ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të zhvillojnë javën e ardhshme një takim me Komisionin Evropian për të diskutuar vështirësitë me të cilat po përballen shoferët e kamionëve nga rajoni në zonën Shengen.
Kjo u konfirmua nga zëdhënësi i Komisionit Evropian, Markus Lammert, i cili theksoi se BE është e vetëdijshme për shqetësimet e operatorëve të transportit dhe po e ndjek nga afër situatën.
Komisioni Evropian njoftoi se problemi është identifikuar përmes strategjisë së re të vizave dhe se do të bashkëpunojë me shtetet anëtare për të gjetur zgjidhje që sigurojnë njëkohësisht sigurinë, përfitimin ekonomik dhe qartësinë ligjore.
Po ashtu, po shqyrtohet mundësia e hartimit të një legjislacioni të ri në nivel të BE-së për rregulla specifike që do të lejonin qëndrime të zgjatura afatshkurtra.
Sipas rregullave të Shengenit, qytetarët e vendeve të rajonit mund të qëndrojnë pa vizë deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, ndërsa çdo qëndrim më i gjatë kërkon një lloj tjetër vize ose leje qëndrimi.
Komisioni pranon se profesione të caktuara, si shoferët e kamionëve, sportistët dhe artistët në turne, kanë nevojë për fleksibilitet më të madh.
Ndërkohë, Komisioni Evropian po monitoron edhe zbatimin e sistemit të ri të hyrje-daljeve në BE, i cili pritet të funksionojë plotësisht në të gjitha kufijtë e jashtëm deri më 10 prill. Shtetet anëtare kanë mundësi të zgjasin periudhën e zbatimit gradual deri në shtator, nëse gjatë sezonit veror krijohen vonesa dhe ngarkesa shtesë në kufij.









