Foto: Ilustrim
Sipas Raportit të Tranzicionit 2025–2026 të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ekonomia e Malit të Zi ka vazhduar rritjen e qëndrueshme gjatë vitit 2025, e nxitur nga konsumi i fortë, rritja e pagave dhe aktiviteti i vazhdueshëm investues.
Prioritetet për vitin 2026 përfshijnë zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe thellimin e integrimit me tregjet rajonale dhe ato të Bashkimit Evropian, veçanërisht përmes investimeve në infrastrukturën e transportit, energjisë dhe digjitalizimit.
Megjithatë, raporti paralajmëron se ndryshimet demografike, sidomos plakja e shpejtë e popullsisë dhe rënia e normave të lindshmërisë, përbëjnë rrezik afatgjatë për zhvillimin ekonomik.
Tkurrja e fuqisë punëtore pritet të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike, stabilitetin fiskal dhe tregun e punës. BERZH thekson se reforma proaktive – si zgjatja e moshës së daljes në pension, rritja e pjesëmarrjes së grave dhe të të moshuarve në tregun e punës, nxitja e inovacionit dhe përdorimi i migracionit si mjet zhvillimi – janë thelbësore për të zbutur këto presione.
BERZH mbetet investitori kryesor institucional në Malin e Zi, me mbi 1,08 miliardë euro të investuara në 106 projekte deri më sot, duke mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm, infrastrukturën moderne, rritjen e sektorit privat dhe integrimin evropian të vendit.









