Foto: presjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka dërguar një letër kominionerës për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, duke tërhequr vëmendjen mbi vështirësitë që hasin transportuesit profesionalë të mallrave për shkak të zbatimit të rregullores ETIAS dhe sistemit të hyrje/daljes së Schengenit (EES).
Në letrën e tij, ai thekson nevojën për zgjidhje pragmatike brenda kuadrit ekzistues Schengen, duke marrë parasysh bllokadat në pikat kufitare dhe Portin e Barit.
Millatoviq nënvizoi se transportuesit profesionalë janë të shqetësuar për prakticitetin e sistemit EES, sidomos për kufizimin e qëndrimit prej 90 ditësh brenda një periudhe 180-ditore.
Ai gjithashtu theksoi se prej disa ditësh po organizohen bllokada nga transportuesit në pikat kufitare dhe në Portin e Barit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Presidenti rikujtoi përkushtimin e Malit të Zi ndaj standardeve Schengen dhe rëndësinë e menaxhimit të sigurt dhe efikas të kufijve të jashtëm të BE-së, ndërkohë që vuri në dukje sfidat konkrete që transportuesit hasin për shkak të natyrës së punës së tyre, e cila përfshin lëvizje të shpeshta ndërkufitare.
Ai theksoi se institucionet kanë përgjegjësinë të sigurojnë që nevojat operacionale të përditshme të transportuesve të merren parasysh gjatë zbatimit të rregullave ekzistuese.
Në letrën e tij, presidenti i Malit të Zi shprehu gatishmërinë për të vazhduar dialogun konstruktiv me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare për të përcaktuar marrëveshje praktike që respektojnë ligjin Schengen, por që njëkohësisht janë të drejtë për të gjithë palët e përfshira.
Ai lidh këtë çështje me përpjekjet më të gjera për integrimin ekonomik të Malit të Zi dhe Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Presidenti u shpreh i bindur se mund të gjendet një qasje e balancuar që ruan standardet e larta të BE-së, por redukton barrën e panevojshme për aktivitetet legjitime të transportit.
Ai theksoi se dialogu i hapur dhe konstruktiv është kyç për ruajtjen e integritetit të sistemit Schengen dhe funksionimin e pandërprerë të transportit profesional.
Në fund, Millatoviq konfirmoi angazhimin e plotë të Malit të Zi për rrugën evropiane dhe gatishmërinë për të kontribuar aktivisht në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët.









