Sot u zhvillua tryeza e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues, ku pjesëmarrës ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili foli dhe për prodhimet ‘Made in Albania’.
Rama u shpreh se qeveria mbështet prodhimin ‘Made in Albania’, ndërsa shtoi se do të jetë pasaportë për Bashkimin Europian.
“Shqipëria do jetë anëtare e BE pasi BE është një hapësirë mundësisht e jashtëzakonshme, por edhe në prag sfidash të jashtëzakonshme. Ata që do të jenë të gatshëm, jemi këtu për të mbështetur së bashku një nismë të Aidës, agjencisë sonë të investimeve, që është kthyer nga një zyrë informacioni në një mekanizëm mbështetjeje, që asiston dhe që orienton të gjithë ata të cilët i adresohen. Një nga gjërat më të rëndësishëm për ekonominë tonë është domosdoshmëria për të rritur vlerën dhe një nga sfidat e objektivat më të rëndësishëm të Aidës, është mbështetja e eksporteve duke mbështetur prodhimet ‘Made in Albania’. E shoh me shumë simpati por edhe njëkohësisht, qeveria është këtu për ta çuar eksportuesin në qendër.
‘Made in Albania’ është një markë cilësie dhe një pasaportë për BE. Ndaj ne do të mbështesim ata që do ta synojnë marrjen e kësaj pasaporte. Duke hequr dorë nga ideja se konkurrenca me çmim të ulët mund ti çojë larg dhe duke u fokusuar te konkurrenca me standarde të larta, për të krijuar më shumë vlerë dhe për të synuar fitim përmes vlerës së krijuar në cilësi dhe jo në sasi për të kapur një vlerë të caktuar. Mbështetja direkte që do të japim për certifikime ndërkombëtare është diçka që ne e shohim si investim strategjik i shtetit.
Një nga çështjet e adresuara për përmirësime, është çështja e barrierave dhe logjistikës. Është çështja e procedurave eksportuese, lehtësimi i korridoreve logjistike”, u shpreh Rama.








