MILLATOVIQ: MARRËVESHJA KOLEKTIVE ËSHTË THELBËSORE PËR MBROJTJEN E STANDARDEVE TË PUNONJËSVE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka theksuar se marrëveshja kolektive është thelbësore për mbrojtjen e standardeve të punonjësve.

Përfaqësuesit e Unionit të Sindikatave të Lira të Malit të Zi kanë shprehur mbështetje për iniciativën e tij për lista të hapura dhe për rritjen e përgjegjësisë së përfaqësuesve të zgjedhur.

Sipas njoftimit, Millatoviq u takua me sekretarin e përgjithshëm të Unionit të Sindikatave të Lira të Malit të Zi, Srgja Kekoviq, dhe zëvendëssekretarin Radomir Bozhoviq, ku diskutuan për situatën e punonjësve dhe forcimin e dialogut social.

“Përfaqësuesit e Unionit të Sindikatave të Lira të Malit të Zi e informuan presidentin se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive skadoi në fund të vitit 2025, dhe është zgjatur deri më 31 mars të këtij viti për të krijuar hapësirë për marrëveshje mes partnerëve socialë. Në këtë kontekst, u kërkua rritja e vlerës së koeficientit të llogaritjes nga 90 në 100 euro, gjë që do të kontribuonte në rritjen e pagave për shumë punonjës,” theksuan ata.

Millatoviq mbështeti këtë iniciativë, duke nënvizuar se mbrojtja e fuqisë blerëse të punonjësve është çështje e stabilitetit ekonomik dhe drejtësisë shoqërore.

Ai shtoi se pagat duhet të ndjekin kostot reale të jetesës dhe të mos mbeten pas inflacionit, sepse puna dinjitoze është themeli i një shoqërie të shëndetshme dhe ekonomie të qëndrueshme.

“Dialogu social duhet të jetë mekanizëm i përhershëm për harmonizimin e interesave të punonjësve, punëdhënësve dhe shtetit. Standardi i qytetarëve nuk mbrohet me veprime të njëhershme, por me zgjidhje sistematike dhe politikë ekonomike të përgjegjshme,” thuhet në njoftim.

Gjithashtu, u diskutua Rezoluta e Unionit të Sindikatave të Lira të Malit të Zi mbi reformën e sistemit zgjedhor.

U vlerësua se iniciativa e Millatoviqit për lista të hapura përputhet me qëllimet e sindikatave, duke forcuar përgjegjësinë e përfaqësuesve ndaj qytetarëve dhe duke e bërë procesin politik më transparent.

Presidenti i Malit të Zi theksoi se forcimi i standardeve të punonjësve dhe përmirësimi i rregullave demokratike janë pjesë e të njëjtës politikë, ku shteti vepron në interes të qytetarëve, jo të interesave të ngushta.

SHARE