KQZ-ja PRET QË RINUMËRIMI TË PËRMBYLLET DERI NË FUND TË MUAJIT

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pret që procesi i rinumërimit për vendvotimet e mbetura të përmbyllet deri në fund të këtij muaji, bazuar në dinamikën e procesit që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për mediat se në fillim të shkurtit ky institucion është i gatshëm për shpalljen e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

“Shpallja e rezultatit nuk nënkupton përfundimin e procesit zgjedhor apo certifikimin e rezultatit”, tha ai. Koha se kur do të bëhet certifikimi i rezultatit, tha Elezi, do të varet nga ankesat që do të mund të paraqesin subjektet apo kandidatët për deputetë për rezultatin në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe më pas edhe në Gjykatën Supreme, pasi të jetë shpallur rezultati përfundimtar.

“Jemi të vetëdijshëm që procesi i rinumërimit heq dilema sa i përket këtij rezultati. Megjithatë, është në të drejtën e subjekteve politike të paraqesin ankesë ndaj rezultatit të shpallur nga KQZ-ja”, tha Elezi.

Certifikimi i rezultatit bëhet pas përfundimit të afateve për ankesa dhe obligimeve që mund të ketë për KQZ-në nga vendimet që mund të marrin PZAP-i dhe Gjykata Supreme dhe pas kësaj hapet rruga për formimin e institucioneve të reja.

Në QNR po punojnë 76 ekipe të numërimit, që numërojnë votat e rregullta duke nisur nga ora 08:00 deri në mesnatë dhe deri më tani, në QNR janë rinumëruar mbi 75 për qind e vendvotimeve.

SHARE