Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi sot në Konferencën Ndërqeveritare mes Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian në Bruksel ka mbyllur kapitullin negociues 32 – Mbikëqyrja Financiare.
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në konferencën për media deklaroi se mbyllja e kapitullit 32 është e rëndësishme dhe theksoi se Mali i Zi ka mbyllur pesë kapituj negociues në dhjetor të vitit të kaluar, duke e rritur numrin e përgjithshëm të kapitujve të mbyllur.
“Ky është një fillim i mirë i vitit dhe Mali i Zi është në rrugë të duhur të mbyllë të gjitha kapitujt e mbetur deri në fund të vitit”, theksoi Kos.
Ajo vuri në dukje se Mali i Zi këtë vit shënon 20-vjetorin e rikthimit të pavarësisë dhe theksoi se ky vit nuk do të karakterizohet vetëm nga festimi i këtij jubileu, por edhe nga puna e përkushtuar dhe e palodhur.
“Me punën, përkushtimin dhe angazhimin tuaj, është e mundur të mbyllen të gjithë kapitujt deri në fund të vitit”, theksoi Kos, duke shtuar se Mali i Zi përfaqëson një shembull pozitiv në rajon.
Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq theksoi se ky kapitull është pjesë e Klasterit 1 dhe një nga kapitujt themelorë.
“Kjo është e rëndësishme sepse vitin e kaluar mbyllëm Kapitullin 5, me ç’rast e nisëm vitin 2025 si një vit shumë të suksesshëm në fushën e integrimeve evropiane. Për këtë arsye presim që ky vit të jetë edhe më i suksesshëm, duke filluar pikërisht me mbylljen e një kapitulli themelor”, tha Spajiq.
Ai rikujtoi se ky është kapitulli i 13-të nga gjithsej 33 që Mali i Zi ka mbyllur, që do të thotë se deri më tani janë mbyllur 40 për qind e të gjithë kapitujve.
“Ky është një rezultat jashtëzakonisht mbresëlënës, sidomos duke pasur parasysh se kjo Qeveri e filloi mandatin me vetëm 8–9 për qind. Për vetëm dy vjet kemi arritur në 40 për qind, gjë që tregon qartë progresin e madh të arritur. Sot po hapim atë që do të jetë viti më vendimtar në rrugën evropiane të Malit të Zi në 20 vitet e fundit”, porositi kryeministri.
“Uroj ministrat, nënkryetarin e Qeverisë dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, si dhe ministrat e Punëve Evropiane dhe të Financave, Maida Gorçeviq dhe Novica Vukoviq, si edhe të gjithë të tjerët që kanë kontribuar në mbylljen e këtij kapitulli”, theksoi kryeministri i Malit të Zi.
Sipas kryeministrit, Mali i Zi po bëhet çdo ditë e më i qëndrueshëm, më i përkushtuar dhe më i reformuar. Kapitulli 32 – Mbikëqyrja Financiare ka të bëjë me miratimin e standardeve të njohura ndërkombëtarisht në fushat e kontrollit të brendshëm financiar publik, auditimit të jashtëm dhe praktikave më të mira të BE-së, si dhe zbatimin e tyre në të gjithë sektorin publik, me qëllim disiplinën dhe transparencën në përdorimin e fondeve kombëtare dhe të BE-së.
Qeveria kishte bërë më herët të ditur se mbyllja e kapitullit 32 – Mbikëqyrja Financiare përfaqëson një hap të rëndësishëm për Malin e Zi në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe është një sinjal i qartë i besimit që Bashkimi Evropian ka në aftësinë e institucioneve malazeze për të mbrojtur interesat financiare të shtetit dhe BE-së, si dhe për të menaxhuar në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente fondet publike.
Me mbylljen e kapitullit 32, Mali i Zi bën një hap të rëndësishëm përpara drejt përmbushjes së kritereve për mbylljen e Klasterit 1, ku përfshihen edhe kapitujt kyç 23 dhe 24, si dhe kapitulli i statistikave, që përbëjnë themelin e gjithë procesit negociues.









