MILLATOVIQ: GAZETARËT JANË SHTYLLË E DEMOKRACISË, SULMET NDAJ TYRE DUHET TË MARRIN PËRGJIGJE KONKRETE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka organizuar një pritje për përfaqësuesit e mediave me rastin e 23 janarit – Ditës së Gazetarëve të Malit të Zi.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Millatoviq theksoi se kjo është një mundësi për të falënderuar gazetarët për punën e tyre profesionale, të përgjegjshme dhe shpesh jashtëzakonisht të vështirë, me të cilën ata kontribuojnë çdo ditë në informimin e publikut dhe forcimin e shoqërisë demokratike.

Presidenti nënvizoi se, sipas të dhënave të Sindikatës së Mediave të Malit të Zi, gjatë vitit 2025 në bazën SafeJournalists janë regjistruar 28 sulme ndaj gazetarëve në vend, dhe se shqetësuese është veçanërisht fakti që shumica e sulmeve ishin kundër gazetareve femra.

“Kjo statistikë është një alarm i kuq për institucionet dhe drejtuesit e tyre, një paralajmërim që duhet të marrë përgjigje konkrete përmes protokolleve të mbrojtjes, jo vetëm deklaratave,” tha presidenti Millatoviq.

Ai shtoi se gazetaria nuk është një profesion i lehtë dhe kërkon njohuri, këmbëngulje dhe gatishmëri për të punuar në kushte që nuk janë gjithmonë të qëndrueshme apo të sigurta.

Kjo veçanërisht vlen për sulmet dhe presionet që nuk ndodhin vetëm në redaksi apo në terren, por gjithnjë e më shpesh edhe në hapësirën digjitale. Në këtë kontekst, kërcënimet, fyerjet dhe intimidimet në rrjetet sociale nuk duhet të vetëm të dënohen, por edhe të raportohen dhe trajtohen në mënyrë adekuate.

“Për Ditën e Gazetarëve nuk mund të flasim pa kujtuar Dushko Jovanoviqin, themeluesin dhe kryeredaktorin e gazetës ‘Dan’, i cili u vra për shkak të punës së tij profesionale dhe përkushtimit ndaj gazetarisë së lirë. Rasti i Dushko Jovanoviqit është tregues i drejtësisë sonë. Pa epilog, nuk ka besim. Shteti duhet të tregojë se krimet ndaj gazetarëve nuk do të harrohen dhe, më e rëndësishmja, nuk do të mbeten pa përgjigje,” theksoi Millatoviq.

Presidenti shprehu falënderime të veçanta për gazetarët që gjatë zjarreve dhe përmbytjeve kanë qenë në terren dhe kanë informuar qytetarët në kohë, duke theksuar se në këto momente duket më qartë rëndësia e punës së gazetarit dhe sa i varur është publiku nga informacioni i saktë dhe i verifikuar.

Millatoviq gjithashtu theksoi se viti 2026 do të jetë viti i mbylljes së të gjithë kapitujve negociues, përfshirë edhe ato që lidhen me sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave.

Ai vuri në dukje se kapitujt negociues janë çështje burokratike, ndërsa ndryshimi i vërtetë duhet të shihet në terren, si realitet që shoqëria duhet të synojë.

Në fund, presidenti Millatoviq nënvizoi se gazetaria nuk është vetëm një profesion, por një thirrje. Ai theksoi se paanshmëria, përgjegjësia dhe saktësia janë mjetet më të rëndësishme të gazetarëve, dhe se detyra e tij si president është të krijojë një ambient ku punonjësit e medias do të punojnë lirshëm dhe pa presion.

SHARE