SORENSEN: BE-ja PRET NGA KOMISIONI I PËRBASHKËT TA SQAROJË FATIN E PERSONAVE TË ZHDUKUR

Peter Sorensen, i dërguari evropian për dialogun, ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) ka pritshmëri të mëdha nga një komision i përbashkët mes Kosovës dhe Serbisë për ta sqaruar fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë.

Sorensen e konfirmoi në një komunikatë të premten se Kosova dhe Serbia e zhvilluan takimin e parë trepalësh të komisionit të përbashkët për personat e zhdukur të enjten në Bruksel.

“Bashkimi Evropian ka pritshmëri të mëdha që Komisioni i Përbashkët të japë një kontribut të rëndësishëm në sqarimin e fatit të personave të zhdukur dhe në ndihmën për mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet, të cilat kanë pritur tepër gjatë për përgjigje”, tha ai.

Afër 1.600 njerëz vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë – nga lufta e viteve 1998-’99.

Sorensen tha të premten se qëllimi i komisionit të përbashkët është ta mbikëqyrë zbatimin e kësaj deklarate, “e cila synon të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave ende të zhdukur, përfshirë personat e zhdukur me forcë, të ofrojë mbyllje për familjet e tyre dhe të nxisë pajtim dhe paqe të qëndrueshme”.

Sorensen zhvilloi bisedime të gjata veç e veç me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, si dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq të enjten në Bruksel.

Në fund të atyre takimeve, në orët e mbrëmjes ai e mbajti takimin e parë trepalësh të komisionit të përbashkët.

Pas takimeve, Bislimi tha se “qëllimi ishte që të arrijmë pajtim që sot ta funksionalizojmë komisionin e përbashkët për jetësimin”.

“Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv”, shtoi Bislimi.

Ndërkaq, Petar Petkoviq tha se ky ishte “takimi i parë i komisionit të përbashkët për zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur”.

“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe domethënëse dhe shpresoj që pas këtij takimi të parë të përshpejtohen të gjitha proceset në drejtim të gjetjes së të gjithë personave të zhdukur”, tha Petkoviq.

SHARE