Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, pas ftesës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Projektligji u votua nga 110 deputetë pro, pa asnjë kundër dhe pa asnjë abstenim, nga 140 sa ka totali i deputetëve.
Marrëveshja ishte miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave më 21 janar, dhe sipas Kuvendit, ligji për ratifikimin e saj do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dhënë autorizimin për kryeministrin Edi Rama për të përfaqësuar vendin në këtë bord ndërkombëtar.
Kryeministri Rama e konsideroi pjesëmarrjen e Shqipërisë si një mundësi për të dhënë kontribut për paqen globale, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike kundërshtuan procedurën e përshpejtuar, duke argumentuar shkelje të rregullores dhe Kushtetutës, por në fund votuan gjithsesi pro.
Sipas autoriteteve shqiptare, ky hap përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm për diplomacinë dhe politikën e jashtme të vendit.
Shqipëria do të ketë rol aktiv dhe të barabartë si anëtar themelues në formësimin e vizionit, parimeve dhe vendimmarrjes së Bordit të Paqes, një organizatë ndërkombëtare me personalitet ligjor që synon promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së besueshme dhe sigurimin e paqes në zonat e konfliktit.
Qeveria e Shqipërisë thekson se statusi i anëtarit themelues rrit profilin dhe vizibilitetin ndërkombëtar të vendit, duke e pozicionuar Shqipërinë si një faktor stabiliteti dhe aktor të besueshëm të paqes në një proces që synon të japë fund një konflikti shumëdekadash në Lindjen e Mesme.








