SPAJIQ NË DAVOS ME SEKRETARIN E FINANCAVE TË SHBA: PËRPARIM NË NEGOCIATAT PËR MARRËVESHJEN G2G

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, në fillim të Forumit Botëror Ekonomik në Davos u takua me delegacionin amerikan dhe ekspertin e financave ndërkombëtare, Skot Besent, sekretar i financave i SHBA-së.

Siç theksoi ai, është arritur përparim në negociatat për Marrëveshjen G2G, e cila është e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit bilateral mes Malit të Zi dhe SHBA-ve.

“Që në fillim të Forumit Botëror Ekonomik në Davos – bisedë me delegacionin amerikan dhe legjendën e financave ndërkombëtare, Skot Besent, sekretar i financave të SHBA-së. Kënaqësi në të dyja palët që është bërë një përparim i madh në negociatat për marrëveshjen ndërqeveritare G2G me SHBA-të, e cila pritet të nënshkruhet këtë vit”, shkroi Spajiq në një postim në rrjetin X.

Marrëveshja G2G shihet si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit bilateral mes Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Modeli G2G përdoret në marrëveshjet bilaterale që Qeveria e Malit të Zi nënshkruan me shtetet e tjera për të thjeshtuar dhe përshpejtuar bashkëpunimin dhe investimet, duke përfshirë lehtësira proceduriale dhe koordinim ndërqeveritar.

Këto lehtësira ndonjëherë mund të përfshijnë përshpejtimin e proceseve të prokurimeve publike ose procedurave investuese, por gjithmonë duhet të jenë në përputhje me ligjet e Malit të Zi dhe, nëse ka obligim, me standardet e Bashkimit Evropian.

SHARE