MILLATOVIQ: RESPEKTOJMË TË DREJTËN E QYTETARËVE TË GRENLANDËS PËR VETËVENDOSJE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i shtetit, Jakov Millatoviq, njoftoi se çdo ditë jemi dëshmitarë të qëndrimeve të kundërta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, veçanërisht në lidhje me statusin e Grenlandës, dhe se kjo përbën një nga sfidat më të mëdha me të cilat është përballur Aleanca e NATO-s që nga themelimi i saj.

Ai thekson se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë aleatët tanë më të rëndësishëm dhe strategjikë.

“Mali i Zi, si kandidati më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përshtat në mënyrë të qëndrueshme politikën e tij të jashtme me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Në përputhje me këtë, shteti ynë respekton të drejtën e qytetarëve të Grenlandës për vetëvendosje, si dhe vendimin e tyre për të qenë pjesë e Mbretërisë së Danimarkës”, tha Millatoviq.

Njëkohësisht, në dritën e zhvillimeve të fundit, Mali i Zi mbështet vazhdimin e dialogut dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme midis aleatëve të NATO-s, me qëllim që Arktiku të mbetet një hapësirë stabiliteti dhe bashkëpunimi. Kjo është thelbësore për kredibilitetin dhe fuqinë e Aleancës, të cilës Mali i Zi i përket si anëtar i plotë prej pothuajse dhjetë vjetësh.

“Në fund, nuk duhet të humbasim nga syri se bashkëpunimi rajonal është themeli i politikës sonë të jashtme, dhe se shumë ngjarje në botë kanë treguar edhe një herë rëndësinë e pakrahasueshme të marrëdhënieve të mira fqinjësore për stabilitetin dhe prosperitetin e një vendi. Pres që Qeveria e Malit të Zi të ketë qëndrime të qarta dhe të qëndrueshme për këtë çështje, si dhe për çështje të tjera të rëndësishme gjeopolitike. Ushtrimi i politikës së jashtme kërkon një strategji të qartë, vazhdimësi dhe përgjegjësi, së bashku me komunikim transparent ndaj publikut vendas dhe partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.

SHARE