JAKSHIQ – STOJANOVIQ: NË PLAN KRIJIMI I BAZËS SË TË GJITHA DIPLOMAVE TË NOSTRIFIKUARA

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq-Stojanoviq, deklaroi në një intervistë për TVMZ se ky resor planifikon krijimin e një baze të të gjitha diplomave të nostrifikuara, çka do të përmirësojë evidencën.

Diplomat e rreme komprometojnë sistemin arsimor, dhe përmes bashkëpunimit multisektorial, ky problem duhet të zgjidhet.

“Ministria ka intensifikuar punën sa i përket raportimit të rasteve ku ekziston dyshimi për diploma të rreme. Zyra e Prokurorit nuk ka detyrë të na informojë për rezultatin, por nga mediat kemi parë dënimet e para me burg që lidhen me procesin e qarkullimit të dokumenteve arsimore të pavërteta. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit ka ndryshuar rregullativën ligjore për të pasur një bazë më të mirë për të trajtuar intensivisht këtë problem. Shpresojmë të arrijmë të dërgojmë mesazhin se bëhet fjalë për veprime që komprometojnë sistemin arsimor”, theksoi Jakshiq-Stojanoviq.

Ajo përgëzoi iniciativën e Universitetit të Malit të Zi (UMZ), i cili publikon regjistrin e diplomave të fituara gjatë pesë dekadave të fundit.

“Edhe departamenti që unë drejtoj planifikon të krijojë një bazë të të gjitha diplomave të nostrifikuara, dhe procesi i nostrifikimit do të realizohet në mënyrë elektronike, duke na siguruar një evidencë shumë më të mirë. Deri tani nuk kemi pasur asnjë bazë për diplomat e nostrifikuara, dhe shpresojmë që kjo bazë të na jetë e dobishme”, tha ministrja.

Ajo kujtoi se është ndaluar njohja e diplomave nga disa institucione të larta arsimore në rajon. “Ka fusha që janë veçanërisht të ndjeshme, si mjekësia dhe arsimi, ku nuk duhet lejuar ekzistenca e diplomave të rreme”, theksoi ministrja.

Duke folur për iniciativën për zgjatjen e pushimeve dimërore, ministrja tha se shkolla filloi sot: “Mësimi ka filluar, kemi vlerësuar se nuk do të ishte e mirë të zgjatej pushimi dimëror. Gjithçka fillon normalisht. Mendoj se fëmijët kanë pasur këto shtatë ditë për të kaluar kohë në borë. Shkollat mund të organizojnë disa aktivitete shtesë në bashkëpunim me prindërit dhe drejtuesit e shkollave”, shtoi Jakshiq-Stojanoviq.

SHARE