KURTI BISEDON ME NDËRKOMBËTARËT PËR ZBATIMIN E LIGJEVE PËR AUTOMJETET DHE TË HUAJT

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, janë takuar me diplomatët e akredituar në Kosovë, të cilët i kanë informuar për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe atë për trafikun.

Nga sot, në Kosovë kanë hyrë në fuqi këto dy ligje dhe autoritetet kanë thënë se zbatimit do t’i paraprijë një afat informues deri më 15 mars.

Zbatimi i plotë i këtyre dy ligjeve do të prekë komunitetin serb që jeton në Kosovë, i cili deri më tani ka drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi, me autorizim, ose persona që nuk kanë dokumente kosovare.

“Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë. Zbatimi i Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.

Kurti, sipas njoftimit, i informoi përfaqësuesit ndërkombëtar mbi “domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate”.

“Kryeministri tha se ky proces integrues do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë”, u tha në njoftim.

SHARE