

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Shëndetësisë i Malit të Zi, Vojisllav Shimun, ka prezantuar një projektligj të ri për shëndetin digjital dhe menaxhimin e të dhënave shëndetësore, i cili synon të modernizojë dhe sigurojë sistemin shëndetësor. Ligji parashikon krijimin e një sistemi të integruar të informacionit shëndetësor, që lidh të gjitha institucionet shëndetësore dhe lehtëson shkëmbimin e sigurt dhe efikas të të dhënave.
Ky projektligj përfshin:
- Kartela elektronike shëndetësore, që do të mbledhë të gjitha të dhënat e pacientit në një vend.
- Të drejtën e qytetarëve për qasje dhe kontroll mbi të dhënat e tyre shëndetësore.
- Regjistra modernë dhe standardizim të të dhënave, që ndihmojnë në planifikimin e politikave shëndetësore dhe marrjen e vendimeve bazuar në të dhëna të sakta.
- Mundësinë për përdorim të kontrolluar të të dhënave për qëllime publike, kërkimore dhe zhvillimore, përfshirë përdorimin e teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale.
Ligji i ri përfaqëson një hap të madh drejt një sistemi shëndetësor më të shpejtë, efikas dhe të drejtë, duke e përshtatur Malin e Zi me standardet evropiane të shëndetit digjital.







