Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Nënkryetari i Kuvendit, Nikollë Camaj ka deklaruar se Parlamenti i Malit të Zi për vitin 2026 ka siguruar 100.000 euro mediave në gjuhën shqipe.
Sipas Camajt, përmes një veprimtarie konstruktive dhe amandamentesh, klubi i deputetëve shqiptarë ka arritur të përfshijë projekte me interes publik në buxhet, duke siguruar mbi 1,4 milionë euro investime vetëm për zonën e Tuzit, një shifër e konsiderueshme duke pasur parasysh se janë dy deputetë nga ky komunitet.
„Falë angazhimit tonë, si dy deputetë të Forumit Shqiptar, janë siguruar mbi 1,4 milionë euro investime vetëm për zonën e Tuzit, gjë që përfaqëson shumën më të madhe, nëse kemi parasysh faktin se jemi dy deputetë. Po ashtu, janë siguruar edhe mjete shtesë në shumën prej 100.000 euro, për financimin e mediave në gjuhën shqipe, Koha javore dhe TV në shqip,“ theksoi Camaj.
Ai më tej shtoi se buxheti gjithashtu mbulon projekte të tjera zhvillimore në zonat me shumicë shqiptare, duke përmirësuar infrastrukturën, kulturën dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Në fund, nënkryetari Camaj theksoi se me këtë buxhet janë paraparë edhe mjetet për themelimin e Institutit Albanologjik, një hap i rëndësishëm institucional për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në Malin e Zi.








