Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit. Me 97,11% të të dhënave të përpunuara, prin Lëvizja Vetëvendosje, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës renditet e treta, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është partia e katërt shqiptare që siguron përfaqësim në Kuvend.
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë shumicën parlamentare me 56 deputetë, PDK 23 ulëse, LDK 15 dhe AAK 6 ulëse, ndërkohë që NISMA Socialdemokrate nuk arriti të kalojë pragun prej pesë përqind për përfaqësim në parlament.
Krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, Vetëvendosje fiton 8 mandate më shumë, PDK humb një mandat, ndërsa LDK shënon rënien më të madhe, nga 20 ulëse në 15. Për AAK-në, është hera e parë që mbetet nën pragun për përfaqësim.
Rezultatet përfundimtare do të shpallen pasi të numërohen votat e diasporës, të personave me nevoja të veçanta dhe votat me kusht.







