KOS: MALI I ZI MUND TË PËRFUNDOJË NEGOCIATAT ME BE DERI NË FUND TË 2026

Foto: Ilustrim

Komisonarja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të shfrytëzojë vitin 2026 për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Lindore.

Ajo tha se deri në fund të vitit të ardhshëm mund të përfundojnë të gjitha negociatat e Malit të Zi me BE-në.

Në një intervistë për portalin „Politico“, Kos vlerësoi se edhe viti 2025 ka qenë i suksesshëm, por se vitin e ardhshëm do të jenë të nevojshme aktivitete intensive për të siguruar që vendet e reja të përfshihen në BE në kohën e duhur.

Ajo shtoi se për këtë është vendimtare jo vetëm gatishmëria e vendeve kandidate, por edhe aftësia e Bashkimit Evropian për të përballuar sfidat aktuale gjeopolitike dhe sigurimin e stabilitetit.

“Do të jetë vit më i mirë se 2025-ta. Do të përparojmë drejt qëllimit për zgjerim. Vitet e ardhshme janë vendimtare për përparimin e vendeve kandidate,” tha Kos, duke theksuar rëndësinë e sigurisë dhe rolit të Ukrainës në BE.

Edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka shprehur optimizmin se gjatë vitit të ardhshëm do të arrihet një avancim i ndjeshëm në procesin e anëtarësimit të vendit të tij.

Ai paralajmëroi se gjatë gjashtëmujorit të presidencës së Qipros në BE, e cila fillon më 1 janar, do të formohet një grup pune nën mbikëqyrjen e Këshillit të BE-së për përgatitjen e marrëveshjes së anëtarësimit të Malit të Zi.

“Ky është një hap i madh përpara. Ai do të mundësojë që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028,” tha Millatoviq.

Ky zhvillim shënon një moment të rëndësishëm në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, duke dhënë shpresë për një avancim konkret në vitet e ardhshme dhe rritje të angazhimit të BE-së për zgjerimin e unionit.

SHARE