Foto: DAN
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar krijimin e strukturës menaxhuese të Parkut Natyror “Kriporja e Ulqinit”.
Parku do të menaxhohet nga një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, ku Qeveria ka 60% dhe Komuna e Ulqinit 40% të aksioneve.
Kapitali themeltar është katër milionë euro, nga të cilat 100,000 euro do të depozitohen menjëherë pas regjistrimit, ndërsa pjesa tjetër brenda pesë viteve në këste vjetore.
Fondet për funksionimin e parkut do të vijnë nga kapitali themeltar, të ardhurat nga hyrjet, shërbimet për vizitorët, përdorimi i logos dhe emrit të parkut, si dhe projektet dhe donacionet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Parku do të ofrojë guidë, vizita në koleksione natyrore, vëzhgim të shpendëve dhe mundësi për xhirime filmike dhe komerciale.
Drejtimin e shoqërisë do ta ketë një bord prej pesë anëtarësh, ndërsa drejtori do të zgjidhet me konkurs publik.
Fitimi neto do të ndahet mes fondit rezervë, fitimit të papërdorur dhe fitimit për shpërndarje, sipas përqindjes së pronësisë së qeverisë dhe komunës, me mundësi reinvestimi në zhvillimin e parkut.
Një tjetër vendim i qeverisë parashikon krijimin e një institucioni arbitrazhi të përhershëm, i cili do të trajtojë edhe mosmarrëveshjet me investitorë të huaj.
Ky hap synon të modernizojë menaxhimin e një prej zonave natyrore më të rëndësishme të Ulqinit dhe të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe ekologjik.









