RIKTHEHET REGJIMI PA VIZA PËR TURQINË, POR QËNDRIMI I LEJUAR ULET NË 30 DITË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar një Rregullore për ndryshimin e Rregullores mbi regjimin e vizave, me të cilën hiqet pezullimi i përkohshëm i regjimit pa viza për shtetasit turq.

Megjithatë, qëndrimi i lejuar reduktohet nga 90 ditë në 30 ditë, si masë për parandalimin e migrimeve të paligjshme dhe në përputhje me politikën e vizave të Bashkimit Evropian (BE).

Në materialin që shqyrtoi sot Qeveria, theksohet se është përmirësuar bashkëpunimi me autoritetet turke, duke zbatuar kontrolle të përforcuara të sigurisë dhe migracionit.

“Me vendim është parashikuar ulja e qëndrimit të lejuar nga 90 në 30 ditë, me shënimin se në rast të vlerësimit të rreziqeve të sigurisë, regjimi i vizave mund të rivendoset,” thuhet në komunikatë.

Siç theksohet, politika më restriktive e vizave dhe migracionit zbatohet me qëllim parandalimin e migrimeve të paligjshme dhe forcimin e kontrollit mbi hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve të huaj.

Anëtarët e Qeverisë konstatuan se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Policisë kanë kryer të gjitha aktivitetet e parashikuara nga vendimet e Këshillit për Sigurinë Kombëtare që lidhen me migrimet e paligjshme.

“Vendimi përbën pjesë të një pakete më të gjerë masash për përputhjen e politikës së vizave me BE-në, që përfshin edhe përshtatjen e politikës së vizave për shtetet e treta, në këtë rast Azerbajxhani, i cili do të harmonizohet deri më 15 janar,” thuhet në komunikatë.

Njoftohet se, me qëllim përmbushjen e obligimeve ndaj anëtarësimit në BE, do të vazhdojnë aktivitetet për harmonizimin e plotë me politikën e vizave të BE-së.

SHARE