SPAJIQ: ME DIALOG DHE PJEKURI POLITIKE DREJT KOMPLETIMIT TË GJYKATËS KUSHTETUESE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka hapur një cikël konsultimesh me përfaqësuesit e partive parlamentare me qëllim zgjedhjen e gjyqtarëve të munguar të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se përfundimi i procesit negociues me Bashkimin Evropian përbën interes kombëtar për shtetin.

Sipas tij, krijimi i parakushteve për sundimin e plotë të ligjit, përfshirë funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese, duhet të jetë rezultat i dialogut dhe konsensusit ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

Spajiq theksoi se këto konsultime kanë për qëllim përfshirjen e të gjitha subjekteve politike dhe arritjen e një marrëveshjeje sa më të gjerë për çështjet kyçe me rëndësi për qytetarët dhe të ardhmen evropiane të Malit të Zi.

Ai shprehu pritshmërinë që deri në fund të vitit të arrihet kompletimi i Gjykatës Kushtetuese, ose të paktën zgjedhja e një gjyqtari, duke vënë në pah se funksionimi i institucioneve dhe forcimi i shtetit ligjor janë prioritete kryesore të Qeverisë.

Kryeministri gjithashtu theksoi se Mali i Zi po ecën sipas planit drejt anëtarësimit në BE, por se faza përfundimtare e këtij procesi do të jetë sfiduese, veçanërisht në kapitujt 23 dhe 24, të cilët lidhen me drejtësinë, të drejtat themelore dhe sigurinë.

Për këtë arsye, ai u bëri thirrje të gjitha forcave politike që përmes dialogut të kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjeve më të mira për çështjet e hapura.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit Kushtetues të Kuvendit, Jellena Bozhoviq, njoftoi se është caktuar një seancë ku do të konstatohet numri i aplikimeve të pranuara për kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, pas së cilës do të vijojë procedura formale e zgjedhjes.

Përfaqësuesit e partive parlamentare e vlerësuan pozitivisht iniciativën e kryeministrit për hapjen e konsultimeve dhe u pajtuan se integrimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian është interes i përbashkët kombëtar. Ata shprehën gatishmërinë për të dhënë kontributin e tyre, si në procesin e kompletimit të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe në miratimin e ligjeve dhe harmonizimin e legjislacionit vendas me standardet e Bashkimit Evropian.

SHARE