Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar një Rregullore të re për mënyrën e shkatërrimit, shitjes dhe dorëzimit të mallrave nën mbikëqyrje doganore, duke synuar përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Rregullorja synon krijimin e një sistemi të modernizuar, transparent dhe të unifikuar për menaxhimin e mallrave të konfiskuara, të dorëzuara ose të bëra pronë e shtetit.
Përmes kësaj rregulloreje, procedurat doganore do të standardizohen, proceset kyçe do të digjitalizohen (përfshirë regjistrin qendror elektronik dhe ankandet publike online), dhe do të rritet transparenca dhe konkurrenca në shitjet e mallrave.
Gjithashtu, do të përshpejtohet kohëzgjatja e magazinimit, do të sqarohen kriteret për dorëzimin dhe shkatërrimin e mallrave, dhe do të mundësohet shitja e menjëhershme në raste urgjente, me mekanizma të qartë kontrolli.
Rregullorja krijon bazat për digjitalizimin e procedurave doganore, përmirësimin e kontrollit fiskal dhe ndërtimin e një baze qendrore të të dhënave mbi llojet dhe sasinë e mallrave, duke mundësuar planifikim dhe raportim më racional nga Drejtoria e Doganave.








