KURTI PAS HEQJES SË MASAVE NGA BE-ja: INSTITUCIONET KOSOVARE NUK E ESKALUAN SITUATËN NË VERI

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e mirëpret heqjen e masave të Bashkimit Evropian (BE), duke theksuar se ato kanë qenë të padrejta që nga dita e parë, raporton Anadolu.

Kurti tha se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës ishin të padrejta sepse institucionet kosovare nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në veri.

“Institucionet e Republikës së Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit tonë dhe së dyti deeskalimi i situatës ishte pikërisht meritë e institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Kurti.

Ai tha se përkundrazi, Kosova dhe institucionet e saj u bënë cak i sulmeve prej të cilave dy me pasoja të rënda, ai në Banjskë të Zveçanit dhe tjetri në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Kurti theksoi se me gjithë masat e vendosura, Kosova nuk ka qenë e hidhëruar gjatë gjithë kësaj kohe me BE-në, por e përkushtuar drejt integrimit evropian. Ai tha se masat më të mëdha financiare Kosova nuk i ka vuajtur nga BE-ja, por nga opozita parlamentare.

“Përkundër insistimit tonë, Kuvendi i Kosovës u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes i BE-së, në vlerë prej 880 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë me mbi 120 milionë euro, pra mbi 1 miliard euro gjithsej në mungesë të vullnetit dhe votës së opozitës”, tha Kurti.

Ai shprehu shpresën që pas konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit “edhe opozita e tanishme t’ia heqë masat Kosovës”.

SHARE