Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ka udhëtuar drejt Brukselit për të përfaqësuar Kosovën në takimin e liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, ka thënë se BE-ja është fati i Kosovës.
Në një intervistë për “Euronews” nga Brukseli, Osmani duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, tha se fati i Kosovës është të jetë pjesë e BE-së, duke shprehur shpresën se shumë shpejt kjo do të ndodhë.
“(BE) Është fati ynë. Është diçka për të cilën kemi punuar për një kohë të gjatë. Dhe, ndonëse praktikisht kemi aplikuar vetëm para disa vitesh, shpresojmë që aplikimi ynë të jetë në tryezën e anëtarëve të Këshillit, shumë shpejt”, tha Osmani.
Ajo tha se beson fuqishëm në anëtarësimin e Kosovës në BE, pavarësisht se është një proces i komplikuar, për shkak të pesë vendeve anëtare mosnjohëse të Kosovës.
Osmani tutje tha se Kosova ka zbatuar të gjitha reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Ajo në fund tha gjithashtu se Rusia, Kina dhe Irani nuk lënë asnjë hapësirë pa e shfrytëzuar dhe nëse BE-ja dhe marrëdhënia transatlantike nuk ushtrojnë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimorë, dikush tjetër do të vijë.
“Jo për bamirësi, por sepse kanë interesa strategjike atje. Prandaj, duhet të sigurohemi që, qoftë për Ukrainën apo për Ballkanin Perëndimor, përsëri përmes një procesi të bazuar në meritë, të ecet përpara”, shtoi Osmani.








