Mali i Zi ka një sistem zgjedhor të thjeshtë dhe fleksibël dhe zgjedhjet janë gjithmonë konkurruese, tha Ministri i Jashtëm I Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq.
Darmanoviq e tha këtë në takimin me Gianluca Pasarelli, shefin e misionit të Rrjetit Evropian të Organizatave të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (ENEMO), i cili do të monitorojë zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 30 gusht.
Sipas Ministrisë së Jashtme, Ministri shprehu kënaqësi për interesimin e rrjetit ENEMO për të vëzhguar zgjedhjet malazeze dhe tha se Ministria e Punëve të Jashtme do të mbështesë ekipin ENEMO në mënyrë që të zbatojë me sukses misionin e tyre.
Pasarelli falënderoi ministrin për mirëseardhjen dhe tha se rrjeti i tij planifikon të mbajë bazën në Mal të Zi.
Ai tha se rrjeti ENEMO ka anëtarë nga vende të ndryshme të botës dhe se kjo është zgjedhja e parë që po vëzhgojnë në Mal të Zi.
Ai shprehu besim se misioni i tij do të jetë i suksesshëm dhe se do të gjejë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Malit të Zi.