KQZ: MBI 70 MIJË VOTUES TË REGJISTRUAR NGA DIASPORA PËR ZGJEDHJET E 28 DHJETORIT

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë i ka miratuar mbi 70 mijë aplikime për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Sipas të dhënave preliminare, gjatë periudhës 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor) përmes platformës elektronike të KQZ-së, janë pranuar mbi 84.700 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar rreth 71.900 ndërkaq janë refuzuar rreth 6.700. Në vlerësim e sipër janë rreth 5.900 aplikime”, ka thënë Elezi në disa përgjigje me shkrim.

Ai ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e votuesve janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 51.000 sosh, për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe rreth 2.500 të tjerë janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, KQZ-ja pati regjistruar afro 105 qytetarë në diasporë për të votuar në atë proces.

Në ato zgjedhje, Kosova e ka organizuar për herë të parë votimin fizik nëpër përfaqësitë diplomatike, përkatësisht në 16 ambasada dhe 14 konsullata në 19 shtete të ndryshme të botës.

Zgjedhjet e parakohshme mbahen pasi për partitë politike të Kosovës ishte e pamundshme që të arrinin konsensus për të ecur përpara, pas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, meqë asnjëra parti nuk arriti t’i siguronte numrat e nevojshëm për të qeverisur e vetme.

“Rreth 18.000 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka thënë mes tjerash Elezi.

SHARE