Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, gjatë Orës së Kryeministrit sot në Kuvend, deklaroi se çështja e ndërtimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Botun po politizohet padrejtësisht, edhe pse bëhet fjalë, siç theksoi ai, për një projekt që drejtpërdrejt ndikon në shëndetin e qytetarëve.
Ai tha se është i gatshëm të takohet me banorët e Botunit dhe të diskutojë të gjitha dilemat rreth projektit.
Spajiq theksoi se vetë ka jetuar katër vite pranë një impianti të tillë në Japoni dhe se kurrë nuk ka pasur probleme.
Ai rikujtoi se për dekada është treguar neglizhencë e madhe ndaj banorëve të Zetës dhe Plevlës, ndërsa kjo Qeveri është e para që ka paraparë pastrimin e pellgut të baltës së kuqe të KAP-it.
Sipas tij, aktualisht fekalet dhe metalet e rënda derdhen në Moraçë dhe më pas në Liqenin e Shkodrës, duke dëmtuar kryesisht familjet që jetojnë rreth tij.
Deputeti Millan Knezheviq kundërshtoi zbatimin e projektit dhe akuzoi Qeverinë se ka shkelur premtimet e dhëna banorëve të Botunit.
Ai kërkoi hetim të plotë nga Prokuroria Speciale, duke pretenduar se dikush mund të ketë përfituar në mënyrë të paligjshme.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e LET hodhën poshtë akuzat për korrupsion, duke theksuar se bëhet fjalë për një projekt të trashëguar dhe se nuk është korrekte që politikanët e rinj të lidhen me praktikat e së kaluarës.
Në seancë u hapën edhe tema të tjera me rëndësi kombëtare si:
- Integrimi evropian: Spajiq deklaroi se institucionet e vendit po funksionojnë më lirshëm se kurrë dhe se bashkëpunimi me BE-në është në nivel historik. Mali i Zi pret mbylljen e të paktën pesë kapitujve të negociatave në konferencën ndërqeveritare të dhjetorit.
- Investimet në veri: Për vitin 2026 janë planifikuar gati 136 milionë euro investime në komunat veriore, ndërsa është shpallur tenderi për rikonstruksionin e Spitalit të Përgjithshëm të Bijello Poles.
- Ura me Shqipërinë: Projekti i ndërtimit të urës mbi lumin Buna është futur në buxhet dhe planifikohet të përfundojë deri në vitin 2028.
- Ish-punëtorët e ndërmarrjeve shtetërore: Kryeministri njoftoi se Qeveria ka nisur pagesën e borxheve shumëvjeçare ndaj ish-punëtorëve të kompanive të falimentuara, përfshirë KAP-in, Koshutën, Radoje Dakiqin dhe minierat e ndryshme.
- Legalizimi i ndërtimeve: Spajiq tha se zbatimi i ligjit të ri për legalizimin e objekteve tashmë po jep rezultate dhe se është nisur lufta e vërtetë kundër ndërtimit të egër.
Në fund, kryeministri Spajiq theksoi se është i gatshëm për dialog me çdo komunitet dhe se Qeveria, siç tha ai, do të vazhdojë të zbatojë projekte që garantojnë mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik.









