Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Gjatë vizitës zyrtare në Bratislavë, zëvendëskryeministri i Malit të Zi për Punë të Jashtme dhe Evropiane, Filip Ivanoviq, u takua me ministrin e jashtëm të Sllovakisë, Juraj Blanar.
Në qendër të bisedimeve ishin integrimet evropiane, bashkëpunimi ekonomik dhe marrëdhëniet bilaterale.
Të dy zyrtarët vlerësuan se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se ekziston potencial i madh për rritjen e bashkëpunimit, sidomos në turizëm, energjetikë, infrastrukturë dhe investime.
Ministri Blanar theksoi se 65% e qytetarëve të Sllovakisë mbështesin anëtarësimin e Malit të Zi në BE dhe vlerësoi se, me ritmin aktual të reformave, Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028.
Ivanoviq falënderoi për mbështetjen e fortë të Sllovakisë dhe theksoi se Mali i Zi synon të mbyllë të gjitha kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2026.
U veçua edhe rëndësia e hapjes së Ambasadës së Malit të Zi në Bratislavë, si dhe ideja për vendosjen e një linje direkte ajrore ndërmjet dy vendeve.
Në konferencën e përbashkët për media, ministri Blanar njoftoi se Sllovakia ka propozuar në BE uljen e disa procedurave administrative për të përshpejtuar procesin e zgjerimit.
Ai përsëriti se Mali i Zi shihet si anëtari i ardhshëm më i afërt i BE-së.
Takimi në Bratislavë konfirmoi mbështetjen e fuqishme të Sllovakisë dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik.









