KURTI: MUNICIONET E PARA ‘MADE IN KOSOVA’ DO TË PRODHOHEN NË FUND TË VITIT 2026

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se municionet e para të fabrikës së municioneve që do të ndërtohet në Gjakovë do të prodhohen në fund të vitit 2026.

Qeveria në detyrë e Kosovës më 27 nëntor miratoi kërkesën për shpronësimin e pronave të ish-kombinatit bujqësor Ereniku, për ndërtimin e zonës industriale në Jahoc të Gjakovës, ku do të ndërtohet fabrika e municioneve.

“Me këtë hapim rrugë në terren ndërtimit të fabrikës së municioneve, të parës së llojit të saj në Kosovë që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta rrisë sigurinë tonë dhe do t’i ngrehë edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse”, tha Kurti në fillim të mbledhjes.

Nëntorin e vitit të kaluar, Qeveria kishte njoftuar për nisjen e procesit për hapjen e një fabrike për prodhimin e municionit dhe për laboratorë për dizajnimin e fluturakeve pa pilotë, të njohura si dronë.

“Ndërtimi i kësaj fabrike, për të cilin kemi kontratë të nënshkruar me prodhuesin turk MKE, do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fundin e vitit 2026. Përveç fabrikës së municioneve, kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojmë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronët ushtarakë dhe civilë ‘Made in Kosova’”, tha Kurti.

SHARE