MILLATOVIQ: MALI I ZI DHE SHQIPËRIA, PARTNERË TË BESUESHËM NË RRUGËN DREJT BE-së

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, mori pjesë në ceremoninë për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe përgëzoi popullin shqiptar, duke theksuar rëndësinë historike të shpalljes së pavarësisë në Vlorë më 1912.

Ai vlerësoi Shqipërinë si faktor kyç të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe aleate të besueshme brenda NATO-s, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen në besim dhe rezultate konkrete në infrastrukturë, ekonominë, energjinë, turizmin, kulturën dhe arsimin.

Millatoviq kujtoi se vitin e fundit bashkëpunimi është intensifikuar në nivel të lartë, përfshirë vizitën e presidentit Begaj në Malin e Zi dhe vizitën e tij të ardhshme në Shqipëri, si dhe një sërë iniciativash të përbashkëta.

Ai tha se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet objektivi strategjik i të dy vendeve dhe vuri në dukje se Mali i Zi vitin e ardhshëm do të jetë nikoqir i Samitit BE–Ballkani Perëndimor, si dëshmi e rolit të tij të besueshëm në proceset evropiane.

Presidenti falënderoi gjithashtu komunitetin shqiptar në Mal të Zi dhe atë malazez në Shqipëri për kontributin e tyre në forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe ruajtjen e harmonisë multietnike, duke theksuar se diversiteti është një pasuri e përbashkët.

SHARE